UMSH, marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike,  nënshkruan  një marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje, u firmos mes rekotrëve respektivë Akademik Gudar Beqiraj    dhe   Akademik Marenglen Verli. Sipas kësaj marrëveshjeje,  dy institucionet marrin përsipër të bashkëpunojnë në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Ato do të  inkurajojnë  kontaktet  e drejtpërdrejta   ndërmjet  anëtarëve  të personelit  akademik  të fakulteteve, departamenteve, institucioneve kërkimore dhe studentëve. Të dy institucionet arsimore do të munden të shkëmbejnë  personelin akademik për zhvillime leksionesh speciale nga autoritetet shkencore, në ciklet e ndryshme universitare nga niveli bachelor deri në studimet doktorale. Gjithashtu falë kësaj marrëveshjeje, UMSH dhe ASA do të munden të shkëmbejnë  studentë, të promovojnë dhe prodhojnë publikime të përbashkëta në kërkimin shkencor;si  dhe të organizojnë pjesmrrje në programe  të veçanta  akademike  afatshkurtra.

UMSH organizon konferencen ndërkombëtare, “Shqiptarët dhe rajoni përgjatë Luftës së Madhe, (1914-1918)

Universiteti Mesdhetar i  Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Barit si dhe me kontributin e  Institutit të Studimeve Albanologjike,organizoi konferencën  shkencore  ndërkombëtare “Shqiptarët dhe rajoni përgjatë Luftës së Madhe, (1914-1918):një shekull nga përfundimi i konfliktit të parë botëror”. Konferenca u organizua në përkujtim të një prej ngjarjeve më të rëndësishme, e njëkohësisht më dramatike, të shekullit XX, e cila shënjoi dukshëm jo vetëm epokën përgjatë së cilës u zhvillua, por dhe gjithë dinamikat politike, sociale dhe kulturore pasardhëse.  Ajo   pati qëllim analizën, trajtimin shkencor dhe mbledhjen e kontributeve kërkimore mbi një sërë tematikash  dhe ngjarjesh të kësaj periudhe.  Në këtë konference,  morën pjesë personalitete në fushën e historisë, historisë ekonomike marrëdhënieve ndërkombëtare e shkencave politike. Referuan studiues , historianë dhe diplomatë  të njohur si  Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi, përfaqësues nga Universiteti “Aldo Moro” i Barit dhe ai i Romës  Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i  Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik Prof . Dr  Anastas Angjeli, u shpreh se debati publik shkencor akademik dhe profesional për çështje të rëndësishme që lidhen me të kaluarën  dhe njëkohësisht dhe me të ardhemn e vendit dhe të rajonit, sot më shumë se në çdo periudhë tjetër është jo vetëm një detyrim qytetar për të gjithë komunitetin akademik e shkencor,  por edhe një domosdoshmëri, nevojë dhe kusht i zhvillimit dhe i progresit. Ky është një parim që udhëheq filozofinë e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë që nga themelimi i tij. Në këtë kontekst bashkëpunimi akademik dhe universitar në shkallë rajonale dhe më gjerë fiton një rëndësi të veçantë. Mënyrat për të thelluar këtë bashkëpunim në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të rajonit janë të shumta e te ndryshme, por një nga më të mirat është zhvillimi i konferencave shkencore të cilat marrin përsipër jo vetëm të diskutojnë teza teorike por edhe të japin propozime konkrete për çështje me interes të përbashkët”, u shpreh Prof Angjeli.  Konferenca, nëpërmjet punimeve me vlerë që  ishin pjesë e paneleve , trajtoi çështje që lidhen me formimin dhe konsolidimin e strukturave shtetërore të Shqipërisë në këtë periudhë, implikimet e këtij konflikti në rajonin tonë në tërësi dhe në Europë, me diplomacinë religjioze të kësaj periudhe, me tema të historisë sociale dhe asaj ekonomike, me politikën e fuqive të mëdha të kohës  dhe me ndikimet kulturore, artistike dhe sociale që ky konflikt kishte. 

Nis Projekti i zhvillimit të sipërmarrjeve të vogla të grave në zonat ndërkufitare

Qendra "Mesdheu" e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombetare filluan zbatimin e njërit nga komponentët e projektit IPA CBC Maqedoni- Shqipëri " Projekti i zhvillimit të sipërmarrjeve të vogla të grave në zonat ndërkufitare". Projekti drejtohet nga Center for Change Mangement në Shkup.
Qendra Mesdheu dhe stafi i saj profesionist gjatë zbatimit të projektit kanë përgjegjësinë e trainimit të 50 grave e vajzave që duan të fillojnë një biznes dhe 25 gra e vajza të tjeta që tashmë kanë një biznes e duan ta zhvillojnë më tej atë. 
Profesorët e UMSH- ekspert të zhvillimit të start-up dhe re-startup, përzgjatë një viti do ti këshillojnë, ti mentorojnë gratë e vajzat në qytetin e Elbasanit deri në realizimin me sukses të biznes planeve me qëllim regjistrimin e biznesit dhe zhvillimin e planeve të investimit.
Fillon kështu një projekt i rëndësishëm në ndihmë të nismave sipërmarrëse të grave e vajzave në Elbasan për ti fuqizuar ato, ...dhe jo vetëm ekonomikisht, por realizimi i një marrëdhënie të qëndrueshme e Universitetit dhe Biznesit, që ushqehet e rritet si model zhvillimi për brezat e studentëve që studiojnë çdo ditë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Leksion i hapur

Me rastin e hapjes së vitit akademik 2018/2019, sot, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, pedagogu i mirënjohur dhe anëtari më i ri i Departamentit tonë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Dr. Paskal Milo, mbajti një lectio magistralis me titull “Shqipëria dhe politika e saj e jashtme në kontekstin evropian dhe mesdhetar”. 
Nga një orë e parashikuar fillimisht, interesi i shfaqur, si dhe vëmendja treguar nga trupa e studentëve dhe pedagogëve, kaloi gjithë pritshmërinë tonë kohore.