Të Reja
Home > Të reja > Aktivitete > Aktivitete 2020
Ndihmë ligjore falas për qytetarët, Universiteti Mesdhetar nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë për Klinikën Ligjore, të hapur pranë këtij institucioni, e cila ofron ndihmë juridike falas. Marrëveshja, u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Mesdhetar, Adrian Civici dhe Ministrja e Drejtësise, Etilda Gjoni. Çelja e Klinikës Ligjore, është akredituar pranë Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Klinika Ligjore, ka si synim primar, ofrimin e ndihmës juridike falas, për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë, si dhe aftësimin në praktikë të studentëve të drejtësisë, të cilët nën mbikqyrjen e pedagogëve përgjegjës ekspert në fusha të ndryshme të së drejtës, studiojnë çështjet dhe japin opinionin ligjor të kërkuar nga këta individë. “Kjo marrëveshje hap rrugën e bashkëpunimit me një vision të ri për të dalë jashtë mureve të Universitetit, duke kaluar në çështje konkrete me kontribut për qytetarët, që kanë nevojë për një asistencë ligjore, e cila ofrohet nga Klinika Ligjore e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë”; u shpreh themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli. Ai shtoi se institucionalizimi i Marrëdhënieve të Bashkëpunimit midis kësaj klinike të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë është diçka mjaft pozitive. - “Dhe përtej kësaj marrëveshje bashkëpunimi të thellohet edhe më tej, pasi siç e dimë të gjithë reforma në Drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme, që Shqipëria ka ndërmarrë padyshim në rrugën e saj drejt integrimit europian”, - tha themeluesi i UMSH. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni, u shpreh se ndihma që ofrohet nga Klinikat Ligjore është një produkt me shumë vlera, e cila mundëson ofrimin e ndihmës falas të gjithë qyetarëve. “Padyshim Ndihma Juridike falas është një produkt i drejtpërdrejtë i reformës në drejtësi. Dhe nëse ka pasur një çështje me të cilën ne jemi marrë fort, ka qenë aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Duke qenë një ndër objektivat kryesorë të asaj çka reforma ka dashur të sjellë. Por nuk janë vetëm institucionet e drejtësisë ato që ofrojnë asistencë, por edhe mekanizma të tjerë, siç është klinika ligjore falas për të gjithë ata qytetarë që janë në pamundësi financiare”, tha Ministrja. Lidhja e urave të bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë është një faktor i rëndësishëm për ecurinë e Klinikës Ligjore, duke ndihmuar në promovimin dhe rritjen e performancës së saj, që do të thotë, në të ardhmen dhënien e ndihmës ligjore pa pagesë për më shumë individë në nevojë. Gjithashtu në sajë të marrëveshjes, Ministria e Drejtësisë do të mbështesë klinikën ligjore dhe me kërkesë të kësaj të fundit merr pjesë në fushata për ndërgjegjësimin dhe edukimin ligjor të publikut.
FAKULTETET
Disa numra të rëndësishëm
-
35+
Programe
-
150+
Profesorë
-
3500+
Studentë
-
85%
Punësim