Ndërkombëtarizimi
Home > Ndërkombëtarizimi > Fondacioni kulturor abdulaziz saud albabtain
Dita e Gjuhës dhe Kulturës Arabe dhe promovim i librit “Kultura në Kuvajt” në UMSh.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, në bashkëpunim me Katedrën “Abdulaziz Saud Al-Babtain” për Gjuhën dhe Kulturën Arabe, organizoi për të katërtin vit radhazi aktivitetin kulturor “Dita e Gjuhës dhe Kulturës Arabe”, në kuadër të Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, të shpallur nga UNESCO, si dhe promovoi me këtë rast përkthimin në gjuhën shqipe të librit “Kultura në Kuvajt” të Dr. Khalifa Al-Wuqayyan.

Aktiviteti u zhvillua më 21 maj 2026, në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të vendeve arabe, përfaqësuesve të trupit diplomatik, institucioneve akademike e kulturore, si edhe pedagogëve dhe studentëve të universitetit.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Prof. Asoc. Dr. Arben Cici, prorektor i universitetit dhe drejtor i Katedrës “Abdulaziz Saud Al-Babtain” për Gjuhën dhe Kulturën Arabe, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës arabe si një urë komunikimi kulturor dhe afrimi ndërmjet qytetërimeve. Ai nënvizoi gjithashtu rolin që luan universiteti në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe akademike ndërmjet Shqipërisë dhe botës arabe. Dr. Khalifa Al-Wuqayyan sjell sot për publikun shqiptar dimensionin e thellë të shpirtit dhe kulturës së popullit mik kuvajtjan, nënvizoi professor Cici.

Akademik Anastas Angjeli, president dhe themelues i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Kryetar i Bordit të Katedrës Abdulaziz Saud Albabtain për Gjuhën dhe Kulturën Arabe përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi se përkthimi në gjuhën shqipe i librit “Kultura në Kuvajt” të Dr. Khalifa Al-Wuqayyan përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të njohjes reciproke ndërmjet popullit shqiptar dhe atij kuvajtian, duke kontribuar njëkohësisht në zgjerimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik mes dy vendeve.

Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri z. Mohsen Al-Ajmi, vlerësoi rëndësinë e diversitetit kulturor dhe të dialogut mes popujve, duke theksuar se marrëdhëniet mes Kuvajtit dhe Shqipërisë po njohin zhvillim të vazhdueshëm në fushat kulturore, arsimore dhe diplomatike. Ai e quajti librin “Kultura në Kuvajt”, një vepër e cila dokumenton zhvillimin e lëvizjes kulturore kuvajtiane dhe evidenton kontributet e saj në fushën intelektuale, letrare dhe artistike.

Në fjalën e saj, znj. Vilma Premti, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se kultura dhe gjuha mbeten instrumente të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe të afrimit mes kombeve. Ajo konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetjen e dialogut ndërkulturor dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet arabe në fusha si arsimi, kultura, turizmi dhe shkëmbimet njerëzore.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi, në fjalën e saj nënvizoi se kultura arabe përfaqëson një nga trashëgimitë më të pasura të qytetërimit njerëzor, e cila ka ndikuar ndjeshëm në filozofi, shkencë, letërsi, art dhe mendim. Ajo theksoi se një dëshmi konkrete e kësaj trashëgimie përfaqësohet nga dorëshkrimet, librat, katalogët dhe materialet me vlerë disa shekullore që ruhen në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Përkthyesi i librit, z. Fatbardh Shega, foli mbi procesin e përkthimit të veprës, duke ndarë me të pranishmit pasionin, sfidat dhe rëndësinë që mbart shqipërimi i një vepre të tillë, e cila sjell më pranë lexuesit shqiptar kulturën dhe historinë e një vendi mik si Kuvajti.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë që kanë kultura dhe gjuha në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet popujve, si dhe në forcimin e vlerave të tolerancës, mirëkuptimit dhe dialogut të ndërsjellë. Të pranishmit u ftuan më pas të vizitonin panairin e kulturës dhe gatimeve arabe, të organizuar në hollin e universitetit, me pjesëmarrjen e disa ambasadave arabe të akredituara në Tiranë.

Ky aktivitet pasqyroi rolin e rëndësishëm që institucionet akademike dhe kulturore luajnë në forcimin e dialogut qytetërues dhe të marrëdhënieve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe botës arabe, përmes dijes, përkthimit, bashkëpunimit akademik dhe hapjes kulturore, rol që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Katedra “Abdulaziz Saud Al-Babtain” për Gjuhën dhe Kulturën Arabe e përmbushin me sukses që prej katër vitesh.

FAKULTETET
Fakulteti i Shkencave
Ekonomike
Fakulteti i Shkencave Ekonomike përgatit ekonomistët e rinj, me konceptet bazë teorike të ekonomisë, financave, kontabilitetit, biznesit dhe ligjit, ekonomisë informatike, shprehitë e nevojshme praktike të ekonomiksit, menaxherit, financierit, bankierit, kontabilistit dhe specialistit të teknologjisë.
Fakulteti i Drejtësisë dhe
Shkencave Humane
Fakulteti i Drejësisë dhe Shkencave Humane, përgatit juristët, politologë, diplomatë, specialist komunikimi, duke i pajisur me aparatin e nevojshëm teorik por edhe me njohuritë praktike, të cilët do të përballojnë sfidat e sistemit të drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në vend.
Fakulteti
i Informatikës
Fakulteti i Informatikës fizikisht dhe virtualisht ka në fokus arritjet me te fundit të shkencave informatike, sistemeve, teknologjive në zhvillim. I ndodhur në një kohë zhvillimesh teknologjike kohore marramendësë, oferta akademike ndjek ritmin e mbështetur nga një staf akademik i mirë kualifikuar. Pedagogë dhe studentë janë të përfshirë në projekte të përbashkëta duke e maksimalizuar përpjekjet për rezultate të larta.
Fakulteti
i Shkencave Mjekësore
Fakulteti i Shkencave Mjekësore një tjetër synim ambicioz i UMSH i orientuar në shërbim të rritjes së kapaciteve mjekësore në vend. Si në çdo hap tjetër i orientuar drejt arritjeve të larta, UMSH ka angazhuar profesorët më me emër të fushavë që mbulon fakulteti i ri. Hartimi i programeve në përafrim të praktikave më te mira europiane e bën të sotmen dhe të ardhmen e studenteve të sigurtë.
Disa numra të rëndësishëm
-
35+
Programe
-
150+
Profesorë
-
3500+
Studentë
-
85%
Punësim
