Home > Të reja > Aktivitete > Aktivitete 2026

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë kremton diplomimin e brezit të 15-të të studentëve!

Një ditë e veçantë, plot emocione, krenari dhe shpresë për të ardhmen! Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë zhvilloi ceremoninë e diplomimit të brezit të 15-të të studentëve, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme akademike dhe nisjen e një rrugëtimi të ri profesional.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të themeluesit të universitetit, akademikut Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili përcolli një mesazh të fuqishëm për sfidat dhe përgjegjësitë që i presin të rinjtë përtej auditorëve:

“Sot ju dorëzojmë një diplomë. Nesër jeta do t’ju kërkojë të tregoni çfarë bëni me të. E ardhmja nuk do t’ju vijë e gatshme. Do t’ju duhet ta ndërtoni, me dije dhe disiplinë, me guxim dhe ndershmëri, me teknologji, por edhe me humanizëm, me ambicie personale, por edhe me përgjegjësi shoqërore”, tha Angjeli

I ftuar në ceremoni, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, inkurajoi të rinjtë të marrin iniciativa dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për zhvillimin e tyre profesional.

“Shqipëria ka nevojë për aftësitë, idetë dhe përkushtimin tuaj. Jepuni hapësirë ideve tuaja. Propozoni një zgjidhje, merrni përsipër një detyrë të vështirë, kërkoni një mundësi ku mund të zhvilloheni”, u shpreh Guvernatori

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi, përcolli një mesazh besimi dhe inkurajimi për rrugëtimin profesional të të diplomuarve dhe kontributin e tyre në të ardhmen e vendit.

“Kam shumë besim te ju. Kam shumë besim se rrugëtimi juaj do të shkëlqejë, por kam besim edhe se do të kontribuoni për një Shqipëri më të mirë”, tha nënkryetarja e Kuvendit.

Ajo i nxiti të rinjtë të punojnë me përkushtim dhe të mos dorëzohen përballë vështirësive:

“Prandaj, punoni fort dhe mos u tërhiqni edhe kur ka vështirësi”, u shpreh ajo

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, theksoi rëndësinë e formimit profesional, përgjegjësisë qytetare dhe integritetit në një periudhë ndryshimesh të mëdha.

“Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë beson se arsimi i lartë duhet të përgatisë profesionistë të zotë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm. Një shoqëri ka nevojë për njerëz që dinë, por mbi të gjitha për njerëz që dinë ta përdorin dijen me integritet”, tha Civici

Ceremonia vijoi me dorëzimin e diplomave, duke kurorëzuar vite studimi, përkushtimi dhe sakrifice.

FAKULTETET

Fakulteti i Shkencave
Ekonomike

Fakulteti i Shkencave Ekonomike përgatit ekonomistët e rinj, me konceptet bazë teorike të ekonomisë, financave, kontabilitetit, biznesit dhe ligjit, ekonomisë informatike, shprehitë e nevojshme praktike të ekonomiksit, menaxherit, financierit, bankierit, kontabilistit dhe specialistit të teknologjisë.

Fakulteti i Drejtësisë dhe
Shkencave Humane

Fakulteti i Drejësisë dhe Shkencave Humane, përgatit juristët, politologë, diplomatë, specialist komunikimi, duke i pajisur me aparatin e nevojshëm teorik por edhe me njohuritë praktike, të cilët do të përballojnë sfidat e sistemit të drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në vend.

Fakulteti
i Informatikës

Fakulteti i Informatikës fizikisht dhe virtualisht ka në fokus arritjet me te fundit të shkencave informatike, sistemeve, teknologjive në zhvillim. I ndodhur në një kohë zhvillimesh teknologjike kohore marramendësë, oferta akademike ndjek ritmin e mbështetur nga një staf akademik i mirë kualifikuar. Pedagogë dhe studentë janë të përfshirë në projekte të përbashkëta duke e maksimalizuar përpjekjet për rezultate të larta.

Fakulteti
i Shkencave Mjekësore

Fakulteti i Shkencave Mjekësore një tjetër synim ambicioz i UMSH i orientuar në shërbim të rritjes së kapaciteve mjekësore në vend. Si në çdo hap tjetër i orientuar drejt arritjeve të larta, UMSH ka angazhuar profesorët më me emër të fushavë që mbulon fakulteti i ri. Hartimi i programeve në përafrim të praktikave më te mira europiane e bën të sotmen dhe të ardhmen e studenteve të sigurtë.

Disa numra të rëndësishëm

  • 35+

    Programe

  • 150+

    Profesorë

  • 3500+

    Studentë

  • 85%

    Punësim